Home / Njoftime / Përfituesit e Thirrjes së dytë brenda Programit Mal i Zi – Kosovë kanë filluar zbatimin e projekteve me vlerë prej 2,4 milion euro

Përfituesit e Thirrjes së dytë brenda Programit Mal i Zi – Kosovë kanë filluar zbatimin e projekteve me vlerë prej 2,4 milion euro

Nga ceremonia solemne e cila është organizuar me rastin e fillimit të zbatimit të projekteve të kontraktuara nga Thirrja e dytë në kuadër të IPA Programit të bashkëpunimit ndërkufitarë Mali i Zi-Kosovë 2014-2020 të financuar nga Bashkimi Evropian, u dërgua mesazhi  që nismat e vlefshme ndërkufitare që Mali i Zi dhe Republika e Kosovës kanë zbatuar bashkërisht që nga viti 2010 tregojnë suksesin e konceptit të përgjithshëm të bashkëpunimit ndërkufitar, i cili është një nxitje thelbësore për procesin e integrimit evropian.

 

Gjatë dhënies së certifikatave përfituesve të Thirrjes së Dytë, Zorka Kordiq, kryenegociatore dhe koordinatore kombëtare për IPA, vuri në dukje se rëndësia e modelit të bashkëpunimit ndërkufitar konfirmohet nga rezultatet konkrete të dukshme të projekteve që janë zhvilluar deri më tani në bashkëpunim ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, përmes të cilit janë vendosur baza për bashkëpunim në fushën e shkëmbimit kulturor, turizmit dhe kujdesit shëndetësor, zhvillimi ekonomik, mbrojtjes së mjedisit, përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, kohezionit social dhe përmirësimit të mundësisë për punësim. Ajo kujtoi se me interesimin e tyre të shprehur në kuadër të Thirrjes së Dytë, organizatat dhe institucionet partnere nga Mali i Zi dhe Kosova kanë treguar gatishmëri për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonën kufitare me projektet e tyre me vlerë 2.4 milion euro.

 

Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për financimin dhe kontraktimin e ndihmës së BE-së në Ministrinë e Financave dhe Mirëqenies Sociale të Malit të Zi Marija Vukçeviq shprehu gatishmërinë e plotë të Autoritetit Kontraktues për bashkëpunim me përfituesit e granteve dhe theksoi se, në bashkëpunim me partnerë nga Kosova, janë tashmë duke punuar në përgaditjen e Thirrjes së tretë e cila është planifikuar të shpallet në mars të vitit 2021, në mënyrë që t’u ofrojë të gjitha palëve të interesuara mundësinë që të bëhen përfitues të fondeve IPA në kohën e duhur.

 

Herman Spitz, shefi i Sektorit për Bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, theksoi se përmes këtij programi të BE-së, Mali i Zi dhe Kosova përpiqen të tejkalojnë sfidat e përbashkëta në një mënyrë të qëndrueshme. “Procesi i zgjidhjes së çështjeve socio-ekonomike në nivelin lokal është sfidues, por sjell progres afatgjatë. Është një kënaqësi e veçant për Bashkimin Evropian që të kontribuojë në këtë përparim përmes 2 milion EUR që kemi dedikuar për këtë thirrje. Ne presim që të në ardhmen do të jemi në gjendje të ndiejmë ndikimin e vërtetë që këto projekte kanë në komunitetet lokale”.

 

 

Sekretari i Përgjithshëm dhe shefi i Strukturës Operative në Ministrinë e Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Trim Berisha, njoftoi opinionin mbi vazhdimin e projekteve të bashkëpunimit brenda Thirrjes së Tretë për dërgimin e projekt-propozime, si dhe mbi gjeneratën e re të programeve që priten në kuadër të perspektives tjetër financiare IPA III.

 

Përmes Thirrjes së Dytë për Propozime, të shpallur në janar të vitit 2019, fondet e Bashkimit Evropian në vlerë prej 2.017 milion EUR u ndanë për projekte të bashkëpunimit ndërkufitar, i cili, me bashkëfinancimin e përfituesve të projektit, arrin në 2.4 milion EUR. Përmes iniciativave të tyre, përfituesit e projekteve do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës, duke inkurajuar punësimin dhe përfshirjen sociale, dhe përmirësimin e turizmit, trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

 

SEKTORI PËR INFORMIMIN E PUBLIKUT MBI BASHKIMIN EVROPIAN DHE PROCESIN E ANTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN

SEKRETARIATI I PËRGJITHSHËM I QEVERISË