Home / Njoftime / Publikohet Thirrja e Parë për projekt propozime në kuadër të IPA III!

Publikohet Thirrja e Parë për projekt propozime në kuadër të IPA III!

Sot u publikua Thirrja e parë për projekt propozime në kuadër të Programit IPA III CBC Mali i Zi-Kosovë 2021-2027. Afati i fundit për dorëzimin e koncept notave është 25 tetori 2024.

 

Thirrja është e hapur për pushtet lokale të përfaqësuara në zonën e programit, organizatat/agjencitë e zhvillimit lokal dhe rajonal, autoritetet kombëtare dhe institucionet që mbikëqyrin turizmin, mjedisin, politikat kulturore, shoqatat e biznesit, organizatat mbështetëse të biznesit, institucionet e promovimit të vetëpunësimit, dhomat e tregtisë dhe artizanatit, organizatat e shoqërisë civile, kooperativat/shoqatat e fermerëve, organizatat/agjencitë e zhvillimit, institucionet arsimore, shkencore dhe kërkimore, organizatat dhe institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve sociale.

 

Në kuadër të kësaj thirrjeje do të mbështeten projekte me vlerë deri në 400 mijë euro që synojnë rritjen e punësimit ndërkufitar të të rinjve dhe grupeve vulnerabël, si dhe projekte me vlerë deri në 600 mijë euro që synojnë nxitjen e turizmit të qëndrueshëm në rajonin ndërkufitar. Kohëzgjatja e projekteve është e kufizuar në 26 muaj për projektet në fushën e punësimit dhe 30 muaj për projektet në fushën e turizmit, ndërsa buxheti i përgjithshëm i kësaj thirrje është 5.4 milionë euro.

 

Zona e programit në Mal të Zi përfshin komunat: Andrijevicë, Tivar, Berane, Bijello Pole, Guci, Kolashin, Mojkovac, Petnjicë, Plavë, Podgoricë, Rozhajë, Tuz, Ulqin dhe Zetë. Në Kosovë zona e programit përfshin komunat: Pejë, Istog, Klinë, Junik, Deçan dhe Gjakovë.

 

Të gjitha informacionet në lidhje me Thirrjen e Parë gjenden në këtë link.

 

Programi IPA III i Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Kosovë financohet nga Bashkimi Evropian.